Tren drejt aeroportit të Vlorës, vlera e projektit 1,65 mld lekë, financimi nis në vitin 2029
Linja hekurudhore Vlorë–Aeroport do të kushtojë 1.65 miliardë lekë. Financimi i parë parashikohet në vitin 2029.

Ndërtimi i linjës hekurudhore që do të lidhë qytetin e Vlorës me aeroportin parashikohet të kushtojë 1.65 miliardë lekë. Vlera e investimit evidentohet në tabelën e investimeve publike me financim të brendshëm, që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2027, ndërsa nisja e financimit është planifikuar për vitin 2029.
Projekti, i emërtuar “Ndërtimi i linjës hekurudhore Vlorë–VIA”, është përfshirë në dokumentet buxhetore si një investim i ri. Për vitet 2027 dhe 2028 nuk parashikohen fonde, ndërsa në vitin 2029 është planifikuar një financim prej rreth 520.2 milionë lekësh. Pjesa tjetër e investimit, prej rreth 1.13 miliardë lekësh, mbetet për t'u paguar pas vitit 2029.
Linja Vlorë–Aeroport, pjesë e projektit për rehabilitimin e hekurudhës Rrogozhinë–Vlorë
Lidhja hekurudhore me aeroportin e Vlorës është pjesë e një projekti më të gjerë të infrastrukturës hekurudhore, i cili përfshin edhe rehabilitimin e linjës ekzistuese Rrogozhinë–Vlorë. Megjithatë, zëri buxhetor me vlerë 1.65 miliardë lekë i referohet konkretisht ndërtimit të linjës së re hekurudhore Vlorë–Aeroport dhe jo të gjithë projektit të rehabilitimit.
Investimi synon krijimin e një lidhjeje hekurudhore ndërmjet qytetit dhe aeroportit, duke mundësuar kombinimin e transportit hekurudhor me atë ajror dhe duke lehtësuar aksesin e udhëtarëve në aeroportin e Vlorës.
ILF Consulting Engineers Austria fitoi kontratën e projektimit për 78.81 milionë lekë
Në prill të vitit 2025, Hekurudha Shqiptare shpalli fituese kompaninë austriake ILF Consulting Engineers Austria për realizimin e studimit dhe hartimin e projektidesë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Rrogozhinë–Vlorë dhe lidhjen e re me aeroportin.
Oferta fituese për këtë shërbim ishte 78.81 milionë lekë. Kontrata përfshinte përgatitjen e dokumentacionit paraprak të projektimit, i cili do të shërbente për përcaktimin e gjurmës së linjës së re dhe zgjidhjeve inxhinierike për realizimin e investimit.
Në shkurt të vitit 2026, përfaqësues të Hekurudhës Shqiptare deklaruan për TV SCAN se kontrata për projektin paraprak përfundonte në qershor 2026. Sipas deklarimeve të tyre, projekti do të përcaktonte gjurmën e lidhjes hekurudhore me aeroportin dhe zgjidhjen paraprake inxhinierike, që do të shërbente si bazë për hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin.
Hekurudhë elektrike me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë
Dokumentet e procedurës së projektimit parashikonin ndërtimin e një linje hekurudhore elektrike, me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë. Ky specifikim është pjesë e kërkesave të përcaktuara për projektimin e lidhjes së re hekurudhore me aeroportin e Vlorës.
Synimi i projektit është integrimi i transportit hekurudhor me atë ajror, duke krijuar një mundësi shtesë për lëvizjen e udhëtarëve drejt aeroportit. Lidhja e re parashikohet të jetë pjesë e zhvillimit më të gjerë të infrastrukturës hekurudhore në aksin Rrogozhinë–Vlorë.
Sipas projektbuxhetit 2027, financimi i ndërtimit të linjës Vlorë–Aeroport nuk do të nisë gjatë dy viteve të ardhshme. Fondi i parë prej 520.2 milionë lekësh është programuar për vitin 2029, ndërsa pjesa e mbetur prej rreth 1.13 miliardë lekësh parashikohet të financohet pas këtij viti.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)